Përfaqësuesit e OAK-së mbajtën një takim me përfaqësueset e German International Cooperation (GIZ), ku u pritën nga Fitore Bajraktari, Rina Vuciterna dhe Flaka Krajkova.
Gjatë këtij takimi u bisedua rreth mundësive të bashkëpunimit dhe përkrahjes që GIZ ofron për bizneset, me qëllim që OAK të ofrojë partneritet në projekte të përbashkëta.
Sekretari i bordit Diamant Elshani falënderoi për pritjen dhe theksoi se shumë biznese anëtare në #OAK janë të interesuara që të aplikojnë në projekte për financim, andaj është me rëndësi që Oda të ketë informatat e nevojshme se cilat fusha janë prioritet për GIZ, në mënyrë që të orientohen bizneset.
Anëtari i bordit Hamdi Malushaj, theksoi se #OAK paraqet një urë lidhëse me bizneset, andaj është e rëndësishme që ato të jenë të vetqëndrueshme dhe të pavarura.
Përfaqësueset e GIZ theksuan që kjo organizatë është e fokusuar në ndihmën dhe promovimin e disa sektorëve ndër të cilat përfshihen sektori i IT, prodhimi, sektori i bujqësisë, gratë në biznes. Fokus kryesor është që të ndihmohen kompanitë që të promovojnë eksportin e produkteve të tyre, kryesisht në vendet gjermano-folëse u tha ndër të tjera në këtë takim.
Në fund të këtij takimi të dyja palët u pajtuan që të bashkëpunojnë në projekte në të ardhmen në mënyrë që të ndihmojnë zhvillimin e biznesve.