Oda e Afarizimit të Kosovës (OAK) për nder të Ditës Ndërkombëtare të Tokës organizoi një aktivitet të përbashkët, me ç’rast mbjellëm disa fidane në lagjen Dardania në Prishtinë.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Lulishten Labi me ç’rast të pranishëm ishin: Nënkryetari i Komunës së Prishtinës Selim Pacolli Ambasadorja e Finlandës në Kosovë Pia Stjernvall, Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut Shpresa Jusufi, Elton Bahtiri Prorektor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” , Bedri Dragusha Dekan i Fakultetit të Bujqësisë si dhe biznese anëtare të OAK-së.

Me rastin e mbjelljes së fidaneve, Nënkryetari i OAK-së Arsim Selmonmusaj theksoi se kemi marrë këtë inciativë simbolike për të sensibilizuar opinionin me rastin e mbjelljes së disa drunjëve të cilët ndikojnë në jetën e qytetarëve tanë. Selmonmusaj, poashtu theksoi se ashtu si ne e ruajmë natyrën edhe ajo do të n’a ruaj ne.

Ndërsa nga ana tjetër, Nënkryetari i Prishtinës Selim Pacolli duke falënderuar OAK-në për organizimin e këtij aktiviteti  theksoi se gjendja aktuale e ajrit nuk është aspak e kënaqshme ndërsa kjo inciativë për mbjelljen e këtyre fidaneve u cilësua të ketë ndikim pozitiv.

Këtë aktivitet si shumë të nevojshëm dhe të rëndësishëm e vlerësuan edhe Ambasadorët nga Maqedonia e Veriut dhe Finlanda.

Përderisa, Dekani i Fakultetit të Bujqësisë Bedri Dragusha potencoi se Dita e Tokës është e rëndësishme të shënohet çdo ditë duke treguar kujdes ndaj natyrës.

Për më tepër, Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën më 22 prill për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit, të cilën OAK e feston çdo vit në mënyrë simbolike.

Shpërndaje: