Me qëllim të informimit më të detajuar për mundësitë e rritjes dhe zhvillimit të potencialit të bizneseve të Kosovës në energji të ripërtërishme, Oda e Afarizmi të Kosovës (OAK) në bashkëpunim me Projektin GROW realizoi një Sesion Informues me bizneset anëtare në zyret e OAK-së.
Koordinatorja e OAK-së, Qendresa Ibrahimi, theksoi që ky sesion është pjesë e vazhdës së sesioneve informuese që oda organizon për bizneset anëtare, përmes së cilave synon që komunitetit të biznesit t’i siguroj qasje në informatat e nevojshme.
GROW (Green Recovery and Opportunity Window) është projekt i MFK dhe MCC i cili ka për qëllim ta rrisë vetëdijen tek bizneset në aspektin e investimeve në efiçiencë të energjisë si dhe në energji të ripërtërishme.
Gjatë Sesionit Informues, Arian Lila dhe Pëllumb Gjinolli gjatë prezentimit shpalosën detaje rreth mundësisë së bashkëpunimit me këtë projekt dhe potencialet e investimeve, me qëllim të kalimit në energji solare.
Sipas projektit, GROW do t’i lehtësojë bizneset kosovare që të investojnë në panele solare fotovoltaike dhe të bëhen Auto-Prodhues Solar (AP) dhe Prodhues të Pavarur të Energjisë, por edhe të ofrojë ndihmë për projekte të efiçiencës energjetike të cilat do të kontribuojnë në uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga prodhimi i energjisë diellore.





