Paraqitja e propozimeve të Odës së Afarizimit të Kosovës (OAK) për Qeverinë, diskutimi i Ligjeve të cilat duhet të plotësohen ̸ ndryshohen ku përfshihen Ligji për Tregtinë e Brendshme,  Ligji për Falimentim, Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji për Sponsorizim, Ligji për Investime, Ligji për Investime Strategjike si dhe gjendja e ekonomisë së vendit ishin çështjet kryesore të cilat u diskutuan në takimin në mes përfaqësuesëve të OAK-së dhe Kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shalës se bashku me me deputetin Pal Leka.

OAK falënderoj dhe uroj për punën Kryetarin e Komisionit Ferat Shala, duke theksuar se OAK ka pasur propozime konkrete lidhur me legjislacionin, pandeminë dhe përmirësimin e ekonomisë së vendit tash e sa kohë e që janë adresuar edhe në Qeveri. Propozime këto të cilat do të ndihmonin ekonominë e vendit dhe do të lehtësonin punën e operimit të biznesit. OAK theksoi se jemi të gatshëm të kontribuojmë në detaje për secilën çështje me qëllim të përmirësimit të ofertave dhe klimës së të bërit biznes në vend.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti Ferat Shala, falënderoj Odën e Afarizimit të Kosovës, duke potencuar se ka një konsideratë të veçantë për bizneset dhe sfidat të cilat i’u janë shtuar këtyre të fundit.  Shala, veçoi se kemi nevojë për bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat me qëllim që t’i trajtojmë me kujdes e t’i dërgojmë tutje kërkesat e juaja.

Sekretari i Bordit të OAK-së Diamant Elshani theksoi se në mesin e ligjeve të cilat duhet të trajtohen me prioritet është edhe Ligji për Sponsorizime  në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Elshani, në mes të tjerash theksoi se përfshirja e mediave në ligjin për sponsorizime do të krijonte mundësi për stabilitet financiar të medias dhe do të reduktonte ndikimin politik në politikat redaktuese të medias.

Përderisa,  anëtari i Komisionit Pal Lekaj ka thënë se takime të tilla janë me interes dypalësh kur dihet se kemi kaluar një vit të vështirë në përgjithësi. Lekaj, potencoi se ndihma e dhënë nga Qeveria për bizneset dhe qytetarët ishte minimale krahasuar me vendet e rajonit duke veçuar se në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojmë me mbyllje totale të vendit mirëpo, vetëm me respektim të masave ose duhet të përkrahet paraprakisht biznesi.

OAK në fund të takimit theksoi se është e domosdoshme që veprimet e Qeverisë dhe Kuvendit të mos bëhen pa qenë në koordinim paraprak me bizneset dhe se përkrahja ligjore nga shteti  për biznesin është shumë e rëndësishme.

Shpërndaje: