Shqyrtimi i mundësive të  bashkëpunimit, ndërlidhja e studentëve me tregun e punës, bashkëpunimi në hartimin e kurrikulave, kontributi në ndryshim-plotësimin e ligjeve  dhe udhëzimeve administrative, krijimi i grupeve punuese me studentët lidhur me ligjet dhe udhëzimet, krijimi i ekspertizave ligjore ishin pikat kryesore të cilat u diskutuan në këtë takim të përbashkët mes OAK dhe Fakultetit Juridik.

Me këtë rast OAK theksoi se qëllimi i këtij takimi  është diskutimi për gjëra praktike, të cilat duhet të ndryshohen dhe të përmisohen. Në mesin e të cilave përfshihen nevoja imediate për ndryshimin e infrastrukturës ligjore, ndryshimi i Kurrikulave në Universitet si dhe lidhja e studentëve me bizneset ku do të mund t’a përvetësonin edhe pjesën praktike krahas asaj teorike.

Përderisa Dekani i Fakultetit Juridik Avni Puka, falënderoj OAK-në për inicimin e këtij takimi duke potencuar se mundësitë e bashkëpunimit janë të mirëseardhura dhe se e vlerësojnë si inciativë.

Puka theksoi se sheh mundësitë e bashkëpunimit  në disa pika ku në mesin e të cilave përmendi edhe lidhjen e stafit dhe studentëve me tregun e punës, punimi i projekteve të   përbashkëta si dhe dërgimin e studentëve në praktika tek bizneset anëtare të OAK-së. Tutje ai shtoi se si Fakulteti Juridik ka marrë iniciativë që të reduktojnë numrin e studentëve në nivelin Bachelor dhe Master, duke u fokusuar kështu në krijimin e kuadrove kualitative dhe që i nevojiten tregut të punës.

Përgjatë këtij takimi u diskutuan edhe ligjet të cilat aktualisht po paraqesin problem në të bërit biznes në vend e që kanë nevojë për ndryshime të menjëhershme në mesin e të cilave u pëmendën Ligji i Punës, Ligji i Lehonisë, Ligji për Investime Strategjike, Ligji për Falimentim dhe Ligji për Gjykatën Komerciale. Me këtë rast Prodekania e Fakultetit Juridik Luljeta Plakolli,  potencoi faktin se të gjitha ligjet kanë nevojë për një analizë të mirëfilltë.

OAK në këtë takim u përfaqësua nga Kryetari- Skënder Krasniqi, Koordinatorja- Qëndresa Ibahimi, Zyrtarja ligjore-Diellza Zeqiri dhe Zëdhënësja për media-Fjolla Smaili