Përfaqësues nga Oda e Afarizmit të Kosovës u pritën në takim nga deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari.

Qëllimi i takimit ishte njoftimi reciprok në mes të palëve, gjendja aktuale lidhur me problemet ligjore si Ligji i Punës, Pushimi i Lehonisë, Ligji për Miniera dhe Minerale, Sektori i Energjisë dhe çështje të tjera të cilat ndikojnë në ngritjen ekonomike.

Zyrtarja e OAK-së Rreze Cana, falënderoi deputeten për pritjen në takim duke prezantuar para saj problemet nëpër të cilat po kalojnë bizneset kosovare, të cilat kanë nevojë të domosdoshme për mbështjen e tyre.

Anëtari i Bordit të #OAK-së, Hamdi Malushaj njoftoi znj. Kusari Lila më gjerësisht për klimën jo të favorshme të të bërit biznes në Kosovë, duke theksuar se problemet ligjore janë faktori kryesor në ngecjen e zhvillimit ekonomik në vend, si rezultat i mos harmonizimit të ligjeve me njëra-tjetrën dhe moszbatimit të tyre.

Një tjetër çështje me rëndësi e cila u diskutua në këtë takim ishte edhe pushimi i lehonisë, që ligji aktual po krijon pengesa në zhvillimin dhe avancimin e femrës, dhe faktin se shteti nuk është duke i trajtuar njëjtë gratë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Për këtë fakt, përfaqësuesit e OAK-së kërkuan që deputetët të përkrahin kërkesën e bizneseve që shteti të marrë përsipër pushimin e lehonisë edhe në sektorin privat.

Në fund të takimit Malushaj kërkoi mbështetje në kërkesat e #OAK-së, odë kjo e cila përfaqëson denjësisht bizneset, pa të cilat nuk ka zhvillim ekonomik të vendit.

Ndërsa Deputetja Mimoza Kusari u shpreh e hapur për çdo bashkëpunim me OAK-në në të ardhmen dhe se do të ngrisin zërin e tyre në Kuvend.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Anëtari i Bordit Hamdi Malushaj, Zyrtaret Rreze Cana dhe Doruntinë Gashi.