Mospublikimi i statistikave në kohë për gjendjen reale në vend po vështirëson  çasjen dhe vlerësimin e gjendjes. Për këtë arsye Oda e Afarizimit të Kosovës kërkon nga Agjencia e Statistikave të Kosovës  që publikimi i raporteve për vlerësimin e gjendjes në vend të bëhet në kohë reale  dhe pa vonesa. Në të kundërtën mungesa e informacioneve për statistikat  në kohë reale po vështirëson punën e bizneseve, qytetarëve dhe institucioneve.

Jemi dëshmitarë se mospublikimi i raporteve dhe vonesat e tilla janë duke ndodhur nga ASK, kur dihet se tek në muajin dhjetor është publikuar Anketa e Fuqisë Punëtore për tremujorshin e dytë 2020 (gjegjësisht me datën 22.12.2020), përderisa, Shqipëria Anketën Tremujore të Forcave të Punës për TM2 e ka publikuar më 10 shtator 2020. Në kohën kur është publikuar nga ASK, TM2   2020 realisht do të duhej të publikohej TM3 , 2020. Ndërsa edhe këto të dhëna të grumbulluara nga terreni, janë bërë në  muajin korrik dhe gusht dhe jo gjatë kohës së vrullit me raste të pandemisë.

Një gjë e tillë nuk është duke ndodhur në asnjë vend të rajonit. Konkretisht mund të marrim si shembull Maqedoninë e cila është me numër të popullësisë përafërsisht të njëjtë sikur Kosova e që Enti i Statistikave të këtij vendi tashmë ka publikuar edhe TM3 për vitin 2020 (data e publikimit të statistikave  për TM3 04.12.2020). Njësoj ka vepruar edhe Enti i Statistikave të Shqipërisë e cila tashmë ka publikuar raportin e Anketës së Fuqisë Punëtore  për TM3 me statiatikat përkatëse me datën 10.12.2020.

Njësoj si Kosova edhe vendet e rajonit kanë qenë duke u ballafaquar me pandeminë globale Covid 19, mirëpo përkundër kësaj nuk kanë munguar raportet e tyre statistikore ashtu siç kanë qenë të planifikuara.

Kësisoj, vende e rajonit po arrijnë të i’u  ndihmojnë qytetarëve, bizneseve, institucioneve etj., për t’u paijsur me informacione të dorës së parë për gjendjen reale dhe për të ndërrmarrë hapa konkret varësisht nga gjendja e krijuar në vend.