Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës kanë mbajtur një takim me Kryesuesen e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica Xhelili.

Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi reciprok lidhur me fushëveprimtarinë, prioritetet dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy palëve.

OAK theksoi se e sheh si shumë të nevojshme plotësim/ndryshimin e disa ligjve, të cilat e afektojnë komunitetin e biznesit, siç është Ligji i Punës, Ligjit për Inspektoratin e Punës, Ligji për Festat Zyrtare, Ligji për Odat e biznesit, si dhe Ligji për Sponsorizim në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke ofruar analiza dhe sqarime konkrete për pikat në të cilat duhet të ndryshohet këto ligje.

Nga ana tjetër znj. Kica Xhelili elaboroi në pika të shkurta punën dhe fushëveprimtarinë e Komisionit të cilin e drejton, duke theksuar se janë shumë të hapur për bashkëpunim dhe i mirëpresin iniciativat dhe rekomandimet konkrete, si dhe vlerësojnë lartë kontributin e OAK-së në përmbajtjen e projektligjeve, dhe ndryshim plotësimin e ligjeve aktuale.

Në takim morën pjesë Skënder Krasniqi, kryetar i Bordit të OAK-së, Mirjeta Shala Udhëheqëse e Ekipit dhe Diellza Zeqiri zyrtare ligjore.

Ndërsa takimi kishte karakter njoftues, me qëllim të krijimit të linjave të komunikimit dhe shqyrtimit të mundësive të bashkëpunimit, në çështjet me interes të përbashkët.