Me qëllim të njoftimit direkt me sfidat me të cilat po përballen bizneset si pasojë e infrastrukturës ligjore jo të favorshme për komunitetin e biznesit, dhe ndryshim plotësimet e disa prej Ligjeve më esenciale, OAK u takua me Kryesuesin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit – z. Adnan Rrustemi.

Oda e Afarizmit të Kosovës theksoi se e sheh si shumë të nevojshme plotësim/ndryshimin e disa ligjve, të cilat e afektojnë komunitetin e biznesit, në mënyrë që të eliminohen disa barriera të shkaktuara si pasojë e zbrazëtirave juridike të ligjeve, mos harmonizimin e ligjeve mes vete, lënies së hapësirës që çështjet kruciale të rregullohen me Udhëzime Administrative, e që të njëjtat në shumë raste nuk nxirren asnjëherë, e në disa raste nxirren në kundërshtim me vet ligjin, si dhe mos marrja parasysh e rekomandimeve të përcjellura nga palët e interesit.

E nga ana tjetër z. Rrustemi elaboroi në pika të shkurta punën dhe fushëveprimtarinë e Komisionit për Legjislacion, duke theksuar se janë shumë të hapur për bashkëpunim dhe i mirëpresin iniciativat dhe rekomandimet konkrete, si dhe vlerësojnë lartë kontributin e OAK-së në përmbajtjen e projektligjeve, dhe ndryshim plotësimin e ligjeve aktuale.

Ky takim ishte i karakterit njoftues, me qëllim të krijimit të linjave të komunikimit dhe shqyrtimit të mundësive të bashkëpunimit, në çështjet me interes të përbashkët.