Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë përmes një shkresë drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Kryetarit të Kuvendit, Ministrit të Financave dhe Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka kërkuar që  në buxhetin e vitit 2023 të parashihet mbështetje për gratë të cilat janë në Pushim të Lehonisë dhe kësisoj kjo barrë të largohet nga bizneset dhe njëkohësisht shteti të merrë përsipër pagesën 100% të Pushimit të Lehonisë në mënyrë që të kontribuojë në përkrahjen e drejtëpërdrejt të bizneseve dhe në rritjen e punësimit të grave.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, duke vlerësuar situatën në vend ka kohë që është duke ngritur si çështje të rëndësisë nacionale mosmbulimin e Pushimit të Lehonisë nga ana e shtetit e për të cilën janë mbajtur takime të vazhdueshme me  institucionet vendore, por fatkeqësisht situata ka mbetur edhe më tutje e pandryshueshme.

Në bazë të takimeve  të vazhdueshme të zhvilluara me bizneset në terren rezulton se është barrë shumë e rëndë për bizneset që të paguhen dy paga për një vend pune,  një për kompensimin e Pushimit të Lehonisë dhe paga tjetër për një punëtor që janë të detyruar ta marrin për të zëvendësuar atë që shkon në pushim. Kjo bëhet barrë shtesë për biznesin veçanarisht duke marrë parasysh gjendjen edhe ashtu të rëndë të të bërit biznes në vend, si rezultat i goditjes fillimisht nga pandemia Covid-19, më pas luftës në Ukrainë, problemeve me energjinë elektrike dhe ngritjes enorme të çmimeve të të gjithë artikujve.

Fakti që Pushimi i Lehonisë edhe më tutje mbetet barrë e biznesit për gjashtë muajt e parë dhe jo e shtetit ashtu siç është e rregulluar në vendet e rajonit, numri i grave të punësuara fatkeqësisht mbetet shumë i ulët, konkretisht nga 616.209 gra në moshë pune vetëm 98.756 janë të punësuara (Burimi Agjencia e Statistikave të Kosovës: Anketa e Fuqisë Punëtore TM2 2021, publikimi i fundit). Sipas të njejtit burim, shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 16 %.  Nga të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave, rezulton se 84 % e femrave në moshë pune janë të papunësuara.

Andaj, ky Ligji i cili mbetet në fuqi bënë që gratë të jenë të diskriminuara dhe të rrezikojnë që të punësohen, si pasojë që bizneset private nuk kanë mundësi që të mbajnë barrën e këtij pushimi andaj hezitojnë që të punësojnë gjininë femërore. 

Ligji për Pushimin e Lehonisë, shihet si një instrument i rëndësishëm për të ndihmuar gratë në karrierë dhe çdo shoqëri ka për detyrë që të krijojë mekanizma, në mënyrë që të lehtësoj krijimin e një balanci mes planifikimit familjar e ngritjes së natalitetit në vend dhe krijimit të karrierës.  

Për dallim nga Kosova që edhe më tutje ballafaqohemi me probleme të tilla, në vendet e rajonit kjo çështje është rregulluar tashmë përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë etj., ku barra e Pushimit të Lehonisë është 100% në përgjegjesinë e shtetit.