Me rastin e organizimit të Konferencës Rajonale me qëllim të promovimit të investimeve rajonale në mes të tjerash u diskutua edhe rreth sfidave të cilat po hasin Dhomat në përkrahjen e bizneseve veçanërisht pas ballafaqimit me pandeminë Covid-19, luftës në Ukrainë dhe rritjes enorme të çmimeve të pothuajse secilit produkt.



Pjesë e panelit të tretë ishin Skënder Krasniqi – Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë; Nebi Hoxha – Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Prëndimore dhe Mladen Perazic – Drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën Ekonomike të Malit të Zi.
Nebi Hoxha nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, përgjatë diskutimit rreth sfidave dhe barrierave në mes vendeve tona, ka thënë se: “Barrierat kryesore mes vendeve të rajonit, respektivisht Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është barriera e infrastrukturës, e cila për momentin nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk është në nivelin e duhur dhe kemi një apel që ne si odë Ekonomike kemi bërë ndër vite dhe ky është një problem i cili ndikon shumë në qarkullimin e mallrave në uljen e kostove dhe shpejtësinë e qarkullimit të njerëzve dhe shërbimeve”.


Hoxha, shtoi se tani sfidë mbetet edhe ngritja e çmimeve që do të ndikojë dukshëm në koston e prodhimit nga kompanitë, ku kanë kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbështetje për bizneset.
Me këtë rast Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë Skënder Krasniqi, pati falenderim të veçantë për WBF, ku theksoi se falë këtij bashkëpunimi edhe me odat tjera të rajonit kemi zgjidhur shumë probleme të bizneseve me të cilat janë atakuar këto të fundit.


Ndërsa, Mladen Perazic – Drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën Ekonomike të Malit të Zi ka thënë se kemi sfida sa i përket situatës në Europë për shkak se është ndërprerë zinxhiri i furnizimit, në këtë periudhë andaj është shumë e vështirë të japim prognoza të matshme se si do të jetë situata në vazhdim por shpresojmë që këto vështirësi sa më parë të tejkalohen. Ai tutje shtoi se i kanë paraqitur tashmë Qeverisë së Malit të Zi, rekomandime konkrete se si t’i ndihmojë bizneset dhe qytetarët për shkak të çmimeve dhe situatës të krijuar së fundmi.


